ballina.png

Kriteri i shoqëris së mirë

I Dërguari i All-llahut, lavdërimi dhe shpëtimi i All-llahut qofshin mbi të, ka thënë:

“Njeriu (zakonisht) është në fenë e shokut të tij, kështu që shikoni me kë po shoqëroheni(miqësoheni)”.

Cili është kuptimi i mirëfilltë i shokut? Jam i sigurt se, nëse ne pyesim veten për këtë, shumë nga ne nuk do të munden t’i përgjigjen në formën e duhur. Shumë njerëz i shohin shokët e tyre si njerëz që i ruajnë sekretin, dikush që flet me ty në telefon, dikujt që i beson, dikë me të cilin kënaqesh dhe rri etj. Por ky lloj shoqërie nuk është i afërt me llojin e shoqërisë që përmendet në Kur’anin famëlartë. All-llahu, i Lartësuari, thotë:

  

 “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja, falin namazin dhe japin zekatin, respektojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t'i mëshirojë All-llahu. All-llahu është ngadhnjyes, i urtë.” (et-Tevbe, 71)

Tani, çfarë shoku doni më mirë sesa njerëz të tillë? SubhanAll-llah! Llojin e shoqërisë që ne kishim në mendje nuk është asgjë në krahasim me shoqërinë që dëshiron All-llahu, subhanehu ve teala. Ata “Urdhërojnë për të mirë e ndalojnë nga e keqja”;

Te kush nga shokët tanë mund ta gjejmë këtë cilësi? Te ndonjë? Për mos të thënë te asnjë.

Lloji i shoqërisë që aktualisht janë gjithkund të pranishëm dëshmon të kundërtën. I sheh njerëzit duke qeshur në gabime dhe nuk e përfillin atë çka është e mirë (e drejtë).

Shumë rrallë, për të mos thënë kurrë, kam parë një shok që i thotë tjetrit: “Vëlla respektivisht motër, ki frikë All-llahun e Lartësuar për atë se çka je duke bërë, se është haram” .

 Se sa ndikojnë shokët tanë tek ne, këtë na e shpjegon ky hadith:

 “Transmetohet nga Ebu Musa el-Esh'ariu, All-llahu qoftë kënaqur me të, se i dërguari i All-llahut, lavdërimi dhe paqja e All-llahut qofshin mbi të, ka thënë: “Shembulli i qëndrimit me njerëz të mirë dhe i qëndrimit me njerëz të këqij është sikurse shitorja e miskut (parfumeria) dhe farkëtaria. Shitësi i miskut ose të jep erë ose të shet, ose së paku prej tij kundërmon erë e këndshme. Kurse farkëtari ose t'i djeg teshat, ose prej tij do të vjen erë e pakëndshme (nga thëngjilli)”. (Buhariu dhe Muslimi)

Kështu që, kur të jeni me shokun e mirë, ju do të përfitoni nga ai, ose të paktën, disa nga mirësitë e tij do të përfshihen në ju. Ndërkohë që, kur të jeni me shoqëri të keqe, do të bëheni si ata, ose të paktën, do të përvetësoni diçka nga sjelljet e tyre të këqija. Fatkeqësisht, ne jemi duke e humbur shoqërinë e vërtetë. Por kjo nuk është pjesa më e keqe; pjesa më e keqe është se shumë muslimanë kanë më tepër shoqëri me jomuslimanë në vend të vëllait së tyre në Islam, ndonëse All-llahu i Lartësuar na këshillon se duhet të preferojmë njerëzit që janë si ne: “Besimtarët të mos i miqësojnë mosbesimtarët, dhe t'i lënë manash besimtarët. Kush e bën këtë, ai nuk ka asgjë nga feja e All-llahut, thjesht rreh të ruhet se mos i vjen ndonjë e keqe prej tyre. All-llahu ju tërheq vërejtjen me dënim prej Tij, pse vetëm tek All-llahu është e ardhmja.” (Ali Imran, 28)

All-llahu na udhëzoftë të gjithëve!

Sa i përket shoqërisë që urdhërojnë njëri-tjetrin në të mirë, dhe ndalojnë nga e keqja, ata do të kenë një shpërblim të madh në botën tjetër, dhe do të falënderohen me njëri-tjetrin në xhennet, inshaAll-llah.

Por, sa i përket atyre, shoqëria e të cilëve është e bazuar vetëm në çështjet e kësaj bote, këta të ashtuquajtur shokë që qeshin dhe nxisin njëri-tjetrin për të bërë keq, dhe marrin besimin (fenë) si një tallje, për ata do të ketë një dënim të dhembshëm .

All-llahu, i Lartësuar qoftë, i paralajmëron muslimanët kundër kësaj shoqërie duke thënë: “Atë ditë zullumqari do të kafshojë duart e veta dhe do të thotë: I mjeri unë, të kisha marrë rrugën e Pejgamberit! O shkatërrimi im, ah të mos e kisha bërë filanin mik! Në të vërtetë, pasi e gjeta rrugën e drejtë, ai më largoi mua prej asaj, e djalli është ai që njeriun e humb dhe e lë të vetmuar.” (el-Furkan, 27-29)

SubhanAll-llah, ata që janë shokë më të mirë me njëri-tjetrin në këtë botë, në botën tjetër do të bëhen armiq të njëri-tjetrit.

Në Xhehennem, ky lloj njeriu do të thërrasë All-llahun, subhanehu ve teala, dhe do t’i thotë: “O All-llah, ky person (shoku i dynjasë) më mori për dore kah harami, o All-llah , o All-llah… dyfishoja dënimin atij. Dhe mallkoje atë me një mallkim të fuqishëm”. SubhanAll-llah! Sa i dhembshëm është zjarri dhe, për më tepër, këtij personi shoku i vet (i dynjasë) do që t’i dyfishohet dënimi edhe më shumë. Atëherë All-llahu, subhanehu ve teala, do t’ia dyfishojë të dyve ndëshkimet përkatëse…

SubhanAll-llah, shih këta “shokë”, ata në të vërtetë nuk ishin shokë në Dynja dhe, siç e patë, nuk do të jenë as në Ahiret. Tani është radha juaj të vendosni. Ju ose mund t’i urdhëroni shokët tuaj për të mirë dhe t’i ndaloni nga e keqja, që nuk mund të jetë edhe aq e lehtë, por shoku juaj do t’ju falënderojë për këtë në xhennet, ose do të rrini më larg atyre që kafshojnë duart e tyre nga pendimi në Ditën kur pendimi nuk bën dobi.

Të jesh i kujdesshëm kur t’i zgjedhësh shokët…

All-llahu i Lartësuar na bëftë prej atyre që kur të dëgjojnë këshillën, ta vëmë në veprim. 

                                              Përshtati nga anglishtja:

 Fitim NUHIU



 

Kategoria aktuale  : Kreu Urtesi Urtesi Kriteri i shoqëris së mirë